Si ta stërvitni qenin?

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë

«QENI nuk më vjen kur e thërras.» «Qeni im leh kaq shumë, saqë fqinjët ankohen.» «Qeni më hidhet gjithnjë mua dhe vizitorëve të mi.» Në të gjitha këto raste të zotët e qenve pyesin të mërzitur: «Çfarë të bëj?»

Ndoshta përgjigjja e kësaj pyetjeje është që t’i jepni qenit një stërvitje bazë që të bindet, pra ta mësoni si të reagojë ndaj urdhrave të thjeshta. Sigurisht, më e mira është të filloni që kur është këlysh. Por edhe qentë e rritur mund të mësojnë. Markosi, një profesionist në stërvitjen e qenve në Meksikë, thotë: «Qentë që marrim për të stërvitur janë minimumi katër muajsh dhe maksimumi pesë vjeç. Por, kam pasur raste që u kam mësuar edhe qenve dhjetëvjeçarë t’u binden disa urdhërave kryesore.»

Qentë janë të zgjuar. Njerëzit i kanë stërvitur ata për të zbuluar me anë të nuhatjes, drogë dhe eksplozivë, për të ndihmuar handikapatët, dhe për të marrë pjesë në misionet e shpëtimit të njerëzve në rrezik. Por, si mund ta stërvitni qenin që t’ju bindet?

Përbërja gjenetike

Së pari duhet të njihni përbërjen gjenetike të qenit tuaj. Ashtu si ujqit, edhe qentë janë shumë të ndjeshëm ndaj hierarkisë. Ata janë instinktivisht të prirur për të jetuar në kope nën drejtimin e një udhëheqësi ose të qenit prijës. Familja juaj është për qenin kopeja e tij, prandaj ai ka nevojë të kuptojë se ju jeni prijësi.

Në një kope ujqish, prijësi zgjedh vendin më të ngrohtë e më të ngritur për të fjetur. Gjithashtu, ha përpara të tjerëve. Prandaj, nëse e lini qenin të flerë në shtratin tuaj ose të qëndrojë mbi orenditë e shtëpisë, ai mund të mendojë se është prijësi. E njëjta gjë mund të ndodhë në rast se i jepen kafshata nga tryeza gjatë vaktit të ngrënies.

Madje që kur është këlysh, qeni mund të mësojë se është më poshtë se ju. Si? Shikojeni drejt e në sy derisa ta largojë shikimin nga ju. Gjithashtu, një ushtrim i mirë është ta fërkoni qenin në bark, teksa qëndron i shtrirë mbi shpinë, sepse kështu ai ndodhet në një pozicion që tregon nënshtrim. Në qoftë se qeni po ju bezdis, dhe nuk pushon edhe kur i thoni: «Jo!», përpiquni ta shpërfillni ose të largoheni nga dhoma.

Kur qeni u përgjigjet urdhrave tuaja, po pranon se jeni ju që komandoni. Nëse, si të zotët e qenit, nuk përcaktoni pozitën tuaj si kreu, qeni mund të mendojë se është baras ose më lart se ju, dhe kjo mund të ndikojë në sjelljen e tij.

Si t’i mësoni urdhra të thjeshta?

Për t’i mësuar qenit urdhrat bazë, ju nevojiten një rrip qafe, një zinxhir dhe shumë durim. Një libër për stërvitjen e qenve jep këto këshilla: (1) jepini një urdhër të thjeshtë e të shkurtër, (2) demonstrojani veprimin që dëshironi të bëjë qeni dhe (3) lavdërojeni menjëherë pasi ka kryer veprimin. Toni i zërit është më i rëndësishëm se fjalët që thoni. Një urdhër duhet dhënë me ton të prerë, kurse lavdërimi duhet dhënë me një ton të gëzuar dhe të përzemërt.

Nuk është i nevojshëm ndëshkimi fizik, si për shembull, ta qëlloni me dorë ose ta goditni me këmbë. Markosi, stërvitësi i cituar më sipër, thotë: «Unë thjesht i them ‘jo’ me një ton të prerë, duke e zgjatur zanoren, që qeni të kuptojë se jam i pakënaqur me mënyrën si vepron.» Ai shton: «Një qen është aq i zgjuar sa të kuptojë kur jeni të kënaqur dhe kur po e qortoni.»

Nëse nevojitet diçka më e rreptë, mund ta kapni qenin prej zverku dhe ta shkundni lehtë duke i thënë: «Jo!» Qortimet duhen dhënë ndërkohë që nuk sillet mirë ose menjëherë pas kësaj. Mos harroni, një qen nuk mund ta kuptojë pse po e qortoni, nëse qortimi bëhet disa minuta ose disa orë pasi ta ketë kryer veprimin. Po ashtu, ai nuk e kupton pse një veprim është i përshtatshëm në një rast, kurse në një rast tjetër jo. Prandaj, mos jini kontradiktorë.

Baza për t’u bindur për gjithçka është urdhri: «Ulu!» Në qoftë se qeni juaj e kupton këtë urdhër, mund ta kontrolloni kur bëhet tepër energjik. Për shembull, ju mund t’i thoni qenit të ulet kur fillon t’u hidhet vizitorëve. Që ta mësoni qenin të ulet, vendosini zinxhirin në qafë dhe jepini urdhrin ndërsa i mëshoni në kurriz, që të ulet mbi këmbët e pasme. Ndërkohë, tërhiqjani kokën lart me butësi me anë të zinxhirit. Lavdërojeni menjëherë. Përsëritini këto hapa derisa qeni t’i bindet vetë urdhrit.

Për ta mësuar qenin që të rrijë ulur, qëndrojini përballë, dhe me dorën të shtrirë jepini urdhrin: «Urtë!» Në rast se qeni lëviz, thuajini: «Jo!» dhe vendoseni në pozicionin e mëparshëm. Përsëritjani urdhrin dhe, kur ai qëndron ulur për një kohë të shkurtër, lavdërojeni. Dalëngadalë, ndërkohë që mësohet t’i bindet urdhrit, shtojeni kohën që ai duhet të qëndrojë ulur dhe më pas largësinë midis jush dhe qenit.

Mënyra më e mirë për ta mësuar një qen që të vijë te ju është që të përdorni një zinxhir të gjatë dhe ta tërhiqni me butësi duke e thirrur në emër, dhe duke i dhënë urdhrin: «Hajde!» Ecni mbrapsht teksa qeni lëviz drejt jush dhe vazhdoni ta lavdëroni. Shumë shpejt ai do t’i përgjigjet thirrjes suaj pa e tërhequr me zinxhir. Nëse qeni lirohet nga zinxhiri dhe nuk i përgjigjet urdhrit: «Hajde!», thirreni dhe largohuni me vrap. Shpesh qeni do t’ju ndjekë instinktivisht.

Një paralajmërim i vogël: kurrë mos përdorni fjalën: «Hajde!» për një arsye negative, si për shembull, për ta qortuar. Qeni duhet të mësojë se po t’i përgjigjet urdhrit: «Hajde!» do të fitojë diçka të mirë: ose do të lavdërohet, ose do t’i jepet ushqim. Në rast se humbni durimin kur përpiqeni t’i mësoni këtë urdhër, qeni do të mësojë se të vijë te ju është një gjë e pakëndshme dhe duhet shmangur.

Gjithashtu, mund ta mësoni qenin që të ecë anash jush pa u turrur përpara ose pa mbetur prapa. Për ta bërë këtë përdorni një rrip qafe për stërvitje dhe një zinxhir të shkurtër. Duke e mbajtur qenin nga e majta, jepini urdhrin: «Ec!» dhe ecni duke hedhur hapin me këmbën e majtë. Nëse qeni do që të turret përpara ose mbetet prapa, jepini një të tërhequr të shpejtë dhe të fortë zinxhirit dhe përsëritjani urdhrin. Lavdërojeni kur ju dëgjon.

Çfarë mund të bëni që qeni të mos ju hidhet sipër? Një mënyrë është të sprapseni duke thënë urdhrin: «Ik!» dhe më pas: «Ulu!» Një mënyrë tjetër është që të merrni putrat e përparme me secilën dorë dhe të ecni drejt qenit duke përsëritur urdhrin: «Ik!» Lavdërojeni kur ju bindet.

Një shok besnik

Mos harroni, qeni është një kafshë e shoqërueshme. Po të mbahet i mbyllur për shumë kohë, kjo do ta bëjë që të jetë tepër energjik, të lehë shpesh dhe ta ketë zakon të bëjë rrëmujë e të shkatërrojë. Po ta stërvitni siç duhet, qeni mund t’ju bëhet një shok besnik i këndshëm, dhe jo një bezdi.

Këshilla për të stërvitur një qen

1. Mos jini kontradiktor kur thoni fjalë ose urdhra.

2. Qenve u pëlqen të thirren me emër, dhe kjo gjë u tërheq vëmendjen. Prandaj, thirreni në emër qenin kur i jepni urdhra. (Reksi, ulu!) Por, mos e thirrni në emër dhe pastaj t’i jepni një qortim të tillë si: «Jo!» Qeni duhet të mësojë se po të përgjigjet kur e thërrasin në emër e presin gjëra të mira, e jo të këqija.

3. Si një mënyrë shpërblimi, mos ia kurseni lavdërimet. Te shumë qen, shfaqja e përzemërsisë ndikon më tepër se ushqimi.

4. Bëjani periudhat e stërvitjes të shkurtra dhe të këndshme.

5. Mos ia nxitni pa dashje qenit sjelljen e padëshirueshme, duke i treguar shumë përkujdesje kur nuk sillet mirë. Kjo vetëm sa do të bënte që ai ta përsëriste prapë.

Lavdërojeni

«Reksi, ulu!»

[Burimi]

Një përshtatje e materialit në Internet, me titull Kurrë, kurrë mos i gjuaj qenit (anglisht) dhe Rrjeti amerikan i stërvitësve të qenve

Si ta mësoni një këlysh që t’i kryejë jashtë nevojat personale?

Një këlysh mund të mësohet t’i kryejë jashtë nevojat, që kur është gjashtë deri në tetë javësh. Sipas botimit Njohuri bazë për stërvitjen e qenit (anglisht), gjërat kryesore për ta mësuar me sukses qenin që t’i kryejë jashtë nevojat personale janë: ta kufizoni brenda një zone të caktuar, ta stërvitni, të vëreni se kur i kryen nevojat dhe ta lavdëroni. Zakonisht, qenit nuk i pëlqen ta ndotë zonën ku fle. Prandaj, mbajeni këlyshin brenda një zone të caktuar kur është i pambikëqyrur. Vëreni se kur i kryen nevojat dhe mësojini një zonë të caktuar ku t’i bëjë ato. Çojeni (me zinxhir) te kjo zonë menjëherë sapo të zgjohet, pasi ka ngrënë, pasi ka luajtur ose përpara se të flerë. Lavdërojeni, ndërsa kryen nevojat personale. Mund t’i mësoni një fjalë që t’i tregojë se është koha për të bërë nevojat personale.

Kur këlyshi lihet i lirë, jini të vëmendshëm nëse jep ndonjë shenjë që tregon se ka nevojë të kryejë nevojat personale. Këto shenja mund të jenë kur: ndalon papritur lojën, vjen rrotull dhe nuhat ose vrapon jashtë dhomës. Nëse e gjeni këlyshin duke kryer nevojat personale brenda shtëpisë, qortojeni dhe nxirreni menjëherë jashtë.* Përsëri duhet theksuar se, nuk ka asnjë dobi nëse e korrigjoni shumë kohë pas veprimit. Pastroni menjëherë çfarëdo papastërtie me solucion me uthull për t’ia hequr erën e keqe, përndryshe qeni do të vazhdojë ta përdorë atë vend për të kryer nevojat personale.

[Shënimi]

Urinimi gjatë një përshëndetjeje emocionuese është një sjellje e pavullnetshme dhe e natyrshme te qentë. Kjo dukuri, që ndonjëherë quhet urinim nënshtrimi, do të thotë se qeni e pranon se ju jeni udhëheqësi ose kreu. Ta qortonit qenin në këtë rast, vetëm sa do ta keqësonte problemin, sepse kjo do ta bënte që ai të urinonte më tepër për të treguar edhe më shumë se ju konsideron si kreun. Zakonisht kjo nuk ndodh më kur qeni arrin moshën dyvjeçare.

Leave a comment